Policia greke reagon 15 ditë pas vdekjes së shtetasit shqiptar Pëllumb Marnikollaj.
Përmes një komunikate për shtyp, polica lokale thotë se me urdhër të drejtorit të përgjithshëm është nisur një hetim i brendshëm lidhur me rrethanat e vdekjes së emigrantit, ngjarje e ndodhur më datë 03 gusht 2016, hetim ky që do t’i bashkangjitet hetimeve të Prokurorisë së Athinës.
Policia greke bën me dije se tashmë janë sekuestruar dhe po verifikohen nga shërbimi i brendshëm i policisë greke të gjitha pamjet filmike, brenda dhe jashtë rajonit të policisë, si dhe dëshmitë e policëve që ndodheshin në shërbim, ekspertiza dhe këqyrja e vendngjarjes, si dhe një sërë materialesh që lidhen me ngjarjen.
Polica thotë se hetimi është nisur prej prokurorisë greke më datë 11 gusht, sapo në zyrat e saj ka mbërritur edhe ekspertiza mjeko-ligjore për rastin.
Në njoftimin e saj, policia greke thotë se pak orë pas humbjes tragjike të jetës së emigrantit shqiptar është njoftuar edhe ambasada shqiptare nëpërmjet një faksi, por ky njoftim ka mbërritur në sektorin konsullor, mes një numri të pafund shkresash zyrtare dhe jo në numrin e zyrës së kontaktit të policisë shqiptare në Athinë, sikundër duhet të ndodhte.