Ana Kove, shkrimtare, Tiranë
Zoti Kelmendi, uroj të jeni mirë. Unë quhem Ana Kove, isha pjesëmarrëse e takimeve “Azem Shkreli” dhe interpretova në manifestimin qendror në nder të shkrimtarit Kadare, auditorit të përzgjedhur, por edhe Tuajin, poezinë “Simfoni dashurie për Drinin”.
Ju keni bërë shumë mirë që i bëtë një dhuratë shkrimtarit të madh; por mosbujaria juaj e mëvonshme dhe prishja e agjendës zyrtare, të jeni i bindur, është komentuar gjatë nga shumë shkrimtarë e njerëz të pranishëm aty. Unë vij personalisht nga bota e studimeve gjermanike, ku shumë filantropë dhe të pasur kanë vënë shpesh shërbime të tyre financiare bujarisht në shërbim të zhvillimit të letërsisë dhe kulturës.
Dje me poetët ju dëshmuat një akt të paprecedent mosbujarie e mosshqiptarie. Në programin e shpërndarë prej kohësh ishte e përcaktuar qartë se evenimenti përmbylljes do të bëhej në Villën e zotit Ramiz Kelmenti në Bogë. Unë dhe shume poetë atje të ardhur nga Shqipëria, Amerika, Bullgaria, Mali i Zi, Turqia u shokuam nga lajmi i çasteve të fundit (Por mbase jo ata të Kosovës, qe mund t’i njohin më mirë kulisat aty, ose edhe ju personalisht); pra ne u ballafaquam me faktin se aktiviteti përmbyllës nuk do të zhvillohej në vilën Tuaj.
Ju e refuzonit ofrimin e viles Suaj, meqenëse u largua Kadareja (në fakt për arsye të tijat shëndetësore). Ai vetë do të çuditej shumë nga kjo arsye e paarsyeshme, të jeni i bindur. Në asnjë vend të botës, e aq më pak të asaj bote që emancipon shpirtin përmes letrave nuk ndodh një gjë e tillë, Ju dëshmuar se kjo ndodh në botën e politikës dhe lekëve që mendojnë se mund të blejnë dhe shesin sa herë të duan.
Madje edhe shpirtra.
Axhendat e aktiviteteve të tilla përcaktohen dhe nuk ndryshohen, përpos arsyeve madhore. Ju në Peje i bëtë një dhurate simbolike shkrimtari të madh Ismal Kadrare, (që dikur udhën e madhështisë së tij e ka kaluar edhe ai nëpër poezi) por i mbyllët derën poetëve, që ndoshta në kohën kur ju të jeni harruar, të mund të jenë mbase “të mëdhenj” në jehonë e veprave të tyre. Lajmi i shpërndarë se Ramiz Kelmendi s’ka më arsye t’i mikpresë poetët ndërkombëtarë ishte aspak i këndshëm dhe i pakonceptueshëm për çdo shqiptar bujar.
Dhe pse nuk do të dëshiroja që organizatorët të kenë pasur arsye të tjera për shpërndarjen e këtij lajmi, në të mirën Tuaj, uroj që te mos jete i vërtetë. E vërteta e pakundërshtueshme është se axhenda zyrtare u ndërrua në minutat e fundit.
Arsyen ju takon ju ta sqaroni publikisht!