Marrëveshja e arritur për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” me kompaninë amerikane “Contour Global” do të ketë kapacitet gjenerues prej 500 megavatesh, si dhe vlera e investimit do të jetë 1 miliard euro. Kështu ka deklaruar të premten Blerand Stavilevci, ministër i Zhvillimit Ekonomik. Ai ka bërë të ditur se edhe Komiteti Ndërministror për projektin energjetik “Kosova e Re” ka aprovuar statusin e ofertuesit kompanisë “Contour Global” për ndërtimin e projektit “Kosova e Re”.
I pari i MZHE-së ka thënë se brenda 6 muajve pritet të bëhet përmbyllja financiare e këtij projekti, kurse ndërtimi pritet të fillojë nga fundi i vitit 2016 ose fillimi i vitit 2017, e i cili pritet të përfundojë brenda viteve 2021-2022. Ndërsa, arritjen e marrëveshjes në disa pika kontestuese me kompaninë amerikane ai e quajti sukses të Kosovës.
Sipas Stavilecit, projekti nuk do të ngarkojë asnjë cent buxhetin e Kosovës. Ministri Stavileci ka siguruar se çmimet do të jenë të përballueshme për konsumatorët dhe do të zgjidhet një herë e përgjithmonë furnizimi i rregullt energjetik. /Zeri/