Akuzat të cilat i bëri i pari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, në drejtim të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, e detyruan këtë të fundit të bëj një reagim duke paralajmëruar edhe një padi ndaj Muahxherit.
I Pari i Pejës në bisedë për “De Standard” veprimet e fundit të Ramush Haradinajt në skenën politike i ndërlidh me mungesën e pushtetit. Për më tepër, ai e akuzon Haradinajn se bashkë me njerëzit e tij është duke bërë para nga benzina dhe lojërat e fatit.
Ky është reagimi i Ramush Haradinaj ndaj Gazmend Muhaxherit
Muhaxheri ky monstrum shpifarak!
Gazmend Muhaxheri, është i fundit nga të komitetit të Isa Mustafës që kanë filluar një luftë të pistë kundër meje dhe AAK-së!
I gjendur përballë dështimeve të njëpasnjëshme në qytetin e Pejës, i tmerruar nga humbja e mbështetjes qytetare në nivel lokal e qendror dhe në përpjekje për të kamufluar këto dështime, ai është shndërruar në një shpifarak paranojak!
Pas shpifjes për Radoniqin që Isa Mustafës, pashpjegueshëm, i kishte dalë prej kontrollit, tash ky farë Muahaxheri del me një tjetër margaritar të skuadrave vrasëse në Dukagjin dhe gënjen përtej mendjes së prishtë që e ka, duke bërë përpjekje që emrin tim dhe të njerëzve të ndershëm të UÇK-së, ta lidhë me vrasjet, me bixhozin dhe kontrabandën e naftës!
E gjithë kjo në shenjë hakmarrjeje pse u kam dalë në pritë që të mos e kthejnë Serbinë në Kosovë dhe të mos e zbresin Malin e zi në Rugovë!
Mesazhi im publik për Muhaxherin në Pejë e muhaxherët tjerë kudo ku janë dhe për shefat e tyre në Prishtinë është se komunizmi në Pejë e në Prishtinë nuk kthehet, as sot as pas 20 vjetësh, as kurrë! As Serbia s’ka më punë në Kosovë.
Meqenëse nuk është hera e parë që Gazmend Muhaxheri sajon shpifje të rrezikshme kundër meje dhe dinjitetit tim personal e familjarë, unë do të ngre padi kundër tij. Ai duhet t’i gjejë kush janë skuadrat vrasëse dhe t’i argumentojë njëpërnjë shpifjet e tij!