Teksa një numër i konsiderushem i qytetarëve kurdë janë mbledhur në qytetin kurd të Diyarbakirit, duke protestuar në shenjë pakënaqësie ndaj rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Turqi, dhjetëra prizrenas kanë dalë nëpër rrugë të qytetit për të festuar fitoren e AKP-së së presidentit Recep Tayyip Erdogan në zgjedhjet parlamentare.
Gazetarët e grupit KOHA në këtë qytet tregojnë se qytetarët kanë dalë në rrugë, me fotografi të presidentit turk e me pankarta të ndryshme po festojnë fitoren në zgjedhje.
Ndërkohë, mediat turke raportojnë se janë numëruar mbi 96 për qind të votave dhe se Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) ka siguruar një fitore të madhe në zgjedhjet parlamentare. Nga këto rezultate, AK Partia ka marrë 49.38 për qind me 315 deputetë, raporton AA.
Partia e parë opozitare Partia Popullore Republikane (CHP) deri më tani ka 25.35 për qind të votave, me 134 mandate.
Partia Lëvizja Nacionaliste (MHP) e opozitës ka marrë 11.97 për qind të votave me 42 deputetë, ndërsa Partia Popullore pro-kurde (HDP) 10.39 për qind, me 59 deputetë.
Ndërkohë 3.86 për qind kanë marrë partitë e tjera të vogla, që nuk përkthehet në asnjë mandat deputeti.
Parlamenti turk ka një total prej 550 deputetësh, ndërkohë që për formimin e qeverisë kërkohet një shumicë: minimumi prej 276 mandatesh parlamentare.
Në këto zgjedhje morën pjesë gjithsej 16 parti politike dhe 21 kandidatë të pavarur, ndërsa AK Parti që nga themelimi i saj në gusht të vitit 2001, fitoi në të gjitha zgjedhjet e mbajtura në vend.
Parlamenti turk ka gjithsej 550 vende, kurse pragu minimal që duhet kaluar partitë është 10 për qind. Për formimin e qeverisë nevojitet më shumë se gjysma e deputetëve, ose të paktën 276 përfaqësues.
Zgjedhjet parlamentare në Turqi mbahen çdo katër vjet. Procesi zgjedhor është i bazuar në bazë të 81 njësive zgjedhore, në po aq qytete të mëdha, kurse numri i përfaqësuesve nga çdo qytet vjen sipas kuotave të caktuara në bazë të regjistrimit të popullsisë. Stambolli siguron më së shumti përfaqësues- 88, pastaj Ankaraja 32, Izmiri 26, Bursa 18, ndërsa Konja 14 deputetë.