BallinaMashtrim me ilaçet e shtrenjta

Mashtrim me ilaçet e shtrenjta

Zbulohet një tjetër skemë përfitimi abuziv dhe evazioni fiskal përmes rimbursimit të barnave. Policia e Tiranës ka shoqëruar mbrëmë disa persona, përfshirë pronarin e një depoje farmaceutike, drejtues të kësaj depoje, disa farmacistë dhe zyrtarë të Fondit të Kujdesit Shëndetësor Rajonal, Tiranë, të dyshuar se janë përfshirë në një skemë mashtrimi të madhe me rimbursimin e ilaçeve.

Ndalimi i tyre është bërë me urdhër të prokurorisë Tiranë ku nga hetimi i organit të akuzës ka rezultuar se në krye të kësaj skeme, qëndron Nadir Çausholli, administrator i depos farmaceutike “Omega Pharma”. Sipas Prokurorisë, kjo depo ka krijuar fatura tatimore fiktive si dhe mësohet se ky subjekt ka furnizuar farmacitë me fatura shitje fiktive pa pasur blerje dhe më pas, farmacitë kanë ekzekutuar receta fiktive dhe i kanë kërkuar Fondit rimbursim për këto receta.

Prokuroria sqaron se “objekti i hetimit, fillimisht, ka pasur të bëjë me rimbursimin e çmimeve të medikamenteve mjekësore, për sa i përket recetave të ekzekutuara pranë katër subjekteve farmaceutike, të cilët janë Farmacia “Lundër”, “Nutrimed 2012”, “Bërzhitë”, dhe “Adelina”. Përveç farmacive të sipërcituara, objekti i hetimit të këtij procedimi është zgjeruar edhe tek aktiviteti i disa farmacive të tjera, të cilat rezultojnë të kenë përfituar vlera të larta rimbursimi për sa i përket medikamenteve mjekësore, çmimet e të cilave rimbursohen nga shteti.

Referuar legjislacionit në fuqi, farmacitë rimbursohen vetëm për medikamentet mjekësore, të cilat janë tregtuar nga importuesi/shpërndarësi farmaceutik që ka kontratë me Fondin. Farmacitë, si edhe depot importuese dhe ato shpërndarëse, kanë pasur detyrimin të deklarojnë çdo muaj hyrjet dhe depon, nga e cila kanë blerë medikamentet e bëra hyrje”.

Farmacitë

Nga hetimi i prokurorisë ka rezultuar se disa farmaci kanë ekzekutuar receta fiktive. Nga këqyrja e hyrjeve të këtyre farmacive vihet re se një pjesë e madhe e furnizimeve ose të gjitha furnizimet janë bërë nga depoja “Omega Pharma Group”. Gjithashtu, nga hetimi mbi këtë procedim ka rezultuar se medikamenti mjekësor “Ketosteril” është një medikament për të cilin të drejtën e importit e ka depoja farmaceutike “R… F”. Ky medikament jepet për diagnozën “insufiçencë kronike renale”.

Nga këqyrja e të dhënave të deklaruara nga disa farmaci që operojnë në tregun e Tiranës, vihet re se këto farmaci kanë deklaruar fletë-hyrje të barit Ketosteril me furnitor “Omega Farma Group” për periudhën qershor 2013–maj 2015. Gjatë kësaj periudhe rezulton e provuar se “R.F” nuk ka bërë shitje të “Ketosterilit” tek “Omega ” dhe se ky subjekt nuk ka pasur blerje të këtij produkti. Nga këqyrja e faturave tatimore të sekuestruara pranë “Omega” vihet re se në këto fatura janë identifikuar disa fatura “kesh” me shitje minus.

Në këto fatura bëhet fjalë për medikamente të ndryshme, duke përmendur këtu edhe medikamentet “Ketosteril” dhe “Insulina”. Emri i subjektit nga i cili është marrë malli nuk është i identifikuar. Për sa më sipër, ekziston dyshimi se depoja “Omega ” ka krijuar fatura tatimore fiktive. Ky subjekt ka furnizuar farmacitë me fatura shitje fiktive pa patur blerje. Më pas, farmacitë kanë ekzekutuar receta fiktive dhe i kanë kërkuar Fondit rimbursim për këto receta.

Personat nën akuzë

Nga studimi në tërësi i materialeve të administruara në këtë procedim penal, ekziston dyshimi i arsyetuar në prova se personi nën hetim Nadir Çausholli ka kryer veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve” në bashkëpunim dhe “Mashtrimit” në bashkëpunim. Në vijim të hetimit, ka rezultuar se veprimtaria e dyshimtë e shtetasit Çausholli është mbështetur edhe nga shtetasit Fisnik Kollçaku (drejtues teknik i “Omega Pharma Group gjatë vitit 2014); Valbona Kra- ja (shefe e Financës pranë “Omega”); si edhe Arjola Pipera (punonjëse financiere pranë “Omega”).

Po ashtu, nga hetimi i Prokurorisë ka rezultuar se disa farmaci kanë ekzekutuar receta fiktive të marra nga “Omega” dhe më pas i kanë paraqitur këto receta pranë Fondit të Kujdesit Shëndetësor, me qëllim rimbursimi. Për këto veprime të kundërligjshme, Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë urdhër ndalimi edhe për shtetasit: Ela Malaj (drejtuese teknike e farmacisë “Alice”, Mariela Përnoci, Arbi Teqja dhe Arbër Thereska, përkatësisht administrator dhe drejtues teknikë të farmacisë “Express”, Erinda Hajdari, drejtuese teknike e farmacisë “Farmacia nr. 6 ”, Ornela Plepi, administratore dhe drejtuese teknike e farmacisë “Katroshi”.

Nga hetimi ka rezultuar se farmacitë kanë ekzekutuar receta fiktive, të cilat më pas i kanë dorëzuar pranë Fondit me qëllim rimbursimi. Këto receta fiktive kanë dalë prej magazinës së Drejtorisë Rajonale të Fondit. Shtetasja Violeta Bejko, në cilësinë e magazinieres së këtij institucioni, nuk ka administruar në mënyrën e duhur lëvizjen e materialeve të bëra hyrje në magazinë. Ajo nuk ka bërë shpërndarjen e recetave në përputhje me procedurën e rregullt ligjore.

Po ashtu, ka rezultuar se, për çdo muaj, në Fondin Rajonal bëhet akt-rakordimi i recetave. Por ka qenë shtetasja E. P, që ka pasur detyrën e shefes së Sektorit të Informatikë-Statistikës e cila ka deklaruar se dosjet e këtyre farmacive, ajo nuk i ka firmosur. Nga hetimi ka rezultuar se shtetasi Tasim Toci ka nënshkruar për këtë sektor pa pasur asnjë tagër për të kryer këtë veprim.

- Advertisement -