BallinaPerformanca e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Mitrovicë ...

Performanca e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Mitrovicë

Rregullimi i disa rrugëve, furnizimi me material ndërtimorë i familjeve të dëmtuara nga fatkeqësitë e ndryshme natyrore dhe puna në zhbllokimin e rrugëve të bllokuara nga të reshurat e borës, janë disa nga punët më të shpeshta të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Mitrovicës, të realizuara gjatë vitit që lamë pas.
Drejtues të kësaj drejtorie njoftojnë se gjatë periudhës Janar – dhjetor 2014,  kanë pranuar 124 kërkesa me shkrim nga qytetarët të cilat i kanë shqyrtuar, 72 prej të cilave janë miratuar, 50 janë refuzuar dhe dy janë në proces.
Drejtori, Musa Dragaj, thotë se për shkak të dëmeve që u janë shkaktuar shtëpive gjatë vitit, disa familje i kanë furnizuar me material ndërtimor, po ashtu në këtë drejtim është ndihmuar edhe Klubi Futbollistik “Australia”, si dhe shumë punë të tjera që janë bërë.
“Kemi bërë edhe pastrimin dhe rregullimi e lumit Trepça, pastaj kemi bërë hapjen e rrugëve nga shembja e dheut  dhe zgjerimin e saj në fshatin Selac, rregullimin e rrugës në lagjen Ferati të fshatit Bare, rregullimin e rrugës në fshatin Pirq, mirëmbajtjen e kanalit kullues në fshatin Kqiq i Madh, ndërtimin e urës në fshatin Broboniq, intervenimin në riparimin e urës mbi lumin Sitnica, jemi marrë me trajtimin e qenve endacak në viset urbane dhe rurale”, theksoj Dargaj.
Ai shtoj se gjatë stinës së dimrit ju kanë dal në ndihmë qytetarëve të Komunës së Mitrovicës në zhbllokimin e rrugëve nga dëbora, me ç’rast kujdes i veçantë i është kushtuar zonave rurale për shkak të situatës më të vështirë, duke arritur të lehtësoj qarkullimin për banorët e këtyre viseve.
“Drejtoria për  Mbrojtje dhe Shpëtim gjatë kësaj periudhe ka realizuar edhe detyrat tjera të përditshme, ku ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë me të gjitha Drejtoritë Komunale, me komunat në regjion , Institucionet Qendrore, sidomos me AME,  FSK-në, Policinë e Kosovës, KFOR-in, Kryqin e Kuq dhe OJQ-të etj. Po ashtu kemi punuar edhe në ngritjen e kapaciteteve të stafit dhe trajnimin e tyre në lëmin përkatëse” nënvizon Dragaj.
Ndërkaq, sa i përket Njësisë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, që punon në kuadër të kësaj drejtorie, Dragaj tha se njësia në fjalë i ka realizuar të gjitha detyrat e parapara me plan-program duke intervenuar me sukses në të gjithat rastet të cilat janë paraqitur për zjarrfikëse, shpëtim dhe ndihma tjera emergjente për  qytetarët e Komunës së Mitrovicës.
“Sektori i Preventivës për Mbrojtje nga Zjarri në periudhën janar – dhjetor 2014 ka realizuar të gjitha detyrat e parapara me planin e punës. Sipas vlerësimit të inspektorëve të Preventivës gjendja në lëmin e mbrojtjes nga zjarri në Komunën e Mitrovicës është më e volitshme në krahasim me vitin e kaluar por ende nuk është në nivelin e dëshiruar, ka tendencë të përmirësimit” theksoj ai.
Sipas tij, inspektorët për Mbrojtje Preventive nga Zjarri me punën dhe angazhimin tyre kanë ndikuar që shumë objekte të pajisen me mjete adekuate për mbrojtje nga zjarri si dhe të hartohen planet dhe rregulloret për mbrojtje nga zjarri te personat fizik dhe juridik njëkohësisht kanë ndikuar edhe në vetëdijesimin e qytetarëve në këtë lami.
Ndryshe, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në të ardhmen parasheh rregullimin e shtratit të lumit Trepça, rifreskimin me informacione të vlerësimit të rrezikut, sensibilizimin e popullatës për mbrojtje personale dhe reciproke për pengimin dhe zvogëlimin e pasojave nga të gjitha fatkeqësitë (natyrore, teknike etj.), pastaj, ngritjen e nivelit të gatishmërisë emergjente në komunë, planifikimin, evidentimi dhe sistemimin e resurseve njerëzore dhe mjeteve materialo – teknike për nevoja emergjente, si dhe kompletimin dhe trajnimi i stafit të DMSH sipas planit të AME/MPB.