Sot bëhen gjashtë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, por vendi ende nuk ka Kuvend të konstituar e as qeveri të re.
Kriza institucionale ka hyrë në muajin e gjashtë, ndërsa partitë politike nuk kanë arritur marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, hapin e parë për formimin e institucioneve të reja, transmeton lajmi.net
Që nga mbledhja e parë konstituive më 15 prill, deputetët janë thirrur në seancë mbi 50 herë, por asnjë përpjekje nuk ka rezultuar me sukses.
Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese me 48 mandate, ka propozuar vetëm një kandidate për kryetare – Albulena Haxhiun – por nuk ka arritur ta sigurojë shumicën prej 61 votash, pasi partitë e tjera kanë refuzuar të japin mbështetjen e tyre.
Situata u tensionua më tej kur Gjykata Kushtetuese ndërhyri me një aktvendim, duke vendosur masa të përkohshme për ndërprerjen e çdo veprimi institucional në Kuvend, derisa të sqarohej situata përmes një interpretimi të ri kushtetues.
Ky interpretim u publikua më 8 gusht, ku Kushtetuesja sqaroi se:
-
Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit duhet të bëhet përmes votimit të hapur.
-
E njëjta kandidaturë mund të propozohet maksimumi tri herë.
-
Deputetët janë të detyruar të marrin pjesë në seancën konstituive dhe në procesin e votimit.
Me këtë vendim, afati prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit do të nisë të rrjedhë nga momenti i publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës.
Vendimi i Gjykatës është mirëpritur nga partitë opozitare, të cilat kanë kërkuar që procesi të ecë përpara.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur pakënaqësi duke e quajtur këtë aktgjykim “devijim të rrezikshëm nga parimet e shtetit të së drejtës”.
Kosova tashmë po përballet me një situatë të pashembullt politike, ku përkundër zgjedhjeve të mbajtura me 9 shkurt, qytetarët ende nuk kanë institucione funksionale përfaqësuese./lajmi.net/