back to top
Wednesday, July 23, 2025

Të ngjajshme

Një studim italian tregon evolucionin gjenetik të lëkurës, flokëve dhe ngjyrës së syve në Evropë gjatë 45,000 viteve. Flokët bjond dhe sytë blu kanë qenë shumë të rralla.

Banorët e Evropës dikur kanë pasur flokë të errëta, sy të errët dhe lëkurë të errët. Deri në Epokën e Hekurit, rreth 3,000 vjet më parë, njerëzit me flokë të çelët, sy të çelët dhe lëkurë të bardhë ishin përjashtim. Kështu thuhet në hulumtimin e Silvia Ghirotto të Universitetit të Ferrarës në Itali.

Sipas këtij studimi, gjenet përgjegjëse për lëkurën, flokët dhe sytë me ngjyrë më të çelëta ishin shumë të rralla tek evropianët e hershëm rreth 14,000 vjet më parë, gjatë fazës së vonë të periudhës paleolitike.

Avantazh evolucionar?

Sot ka rajone në Evropën Veriore, në vende si Norvegjia, Suedia dhe Finlanda, ku mbi 80% e popullsisë është bjonde. Në pjesën tjetër të Evropës, flokët bjonde janë më tepër përjashtim, sepse shumica e evropianëve kanë flokë ngjyrë kafe. Në të gjithë botën, vetëm rreth 2 përqind e njerëzve janë me ngjyra bjonde.

Flokë të errëta
Flokët e errëta kanë mbizotëruara në Evropë | Fotografi: rem,Wilfried Rosendahl

Sipas studimit, lëkura e çelët përfaqësonte një avantazh të madh për gjuetarët e hershëm. Në rrezet e diellit më të dobët, ata mund të kenë qenë në gjendje të marrin më shumë vitaminë D, e cila është e nevojshme për kocka, dhëmbë dhe muskuj të shëndetshëm.

Megjithatë, ngjyra më e çelët e syve nuk kishte ndonjë avantazh të madh. Sipas Ghirottos, sytë blu ose jeshilë janë për shkak të rastësisë gjenetike ose përzgjedhjes seksuale.

Kërkim i vështirë për ADN të përdorshme

Ekipi i Ghirottos ka analizuar 348 mostra ADN-je nga vende arkeologjike në 34 vende në Evropën Perëndimore dhe Azi. Mostra më e vjetër, 45,000-vjeçare, vjen nga individi Ust’-Ishim, i zbuluar në Siberinë Perëndimore në vitin 2008.

Mostra e ADN-së nga individi SF12 afërsisht 9,000-vjeçare nga Suedia ishte gjithashtu shumë me rëndësi për studimin.

Por shumë nga mostrat e ADN-së të ekzaminuara ishin aq të dëmtuara ose të paplota (“të degraduara”) saqë studiuesit nuk mund të përcaktonin drejtpërdrejt karakteristikat e pigmentimit (si lëkura, flokët dhe ngjyra e syve).

Në vend të kësaj, ata përdorën metoda statistikore për të nxjerrë përfundime rreth këtyre karakteristikave.

Nga erdhën evropianët?

Rreth 50,000 deri në 60,000 vjet më parë, Homo sapiens i parë erdhi dhe mbeti përgjithmonë në Evropë. Gjenetikisht, ata ende nuk ishin larguar shumë nga paraardhësit e tyre modernë në Afrikë, që do të thotë se ata mbanin kryesisht gjenet për lëkurën, flokët dhe sytë e errët.

Mendohet se përjashtime ka pasur, por shumica e njerëzve në Evropë kishin lëkurë të errët dhe flokë të errëta, madje edhe gjatë Epokës së Bakrit rreth 5,000 vjet më parë.

Sipas mostrave të ADN-së, 63 përqind e evropianëve të hershëm kishin lëkurë të errët, ndërsa vetëm 8 përqind kishin lëkurë të çelët.

Në Evropën Veriore, siç është Suedia, kishte një përqendrim njerëzish me flokë dhe sy të çelët rreth 3,000 vjet më parë. Por se si ndodhi ky grupim – për shembull, nëse zhvillimi i pigmentimit më të çelët lidhet me ndryshimet klimatike apo me migrimet në Evropë, nuk dihet sakt. Kjo kërkon studime të mëtejshme.

Përparësitë eventuale të evolucionit të ngjyrës së lëkurës, flokëve dhe syve, nga të errët në të çelët, ende nuk janë sqaruar përfundimisht. /DW

- Advertisement -

Të Fundit