BallinaRegjionaleVushtrri500 shtëpi dëmtohen nga vërshimet në Vushtrri, flet Xhafer Tahiri për situatën...

500 shtëpi dëmtohen nga vërshimet në Vushtrri, flet Xhafer Tahiri për situatën atje

500 familjeve në Vushtrri iu është dëmtuar nga vërshimet shtëpia, ka bërë të ditur në emisionin #gjesi në T7, kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri, raporton Gazeta Express.

Në një lidhje direkte në T7, Tahiri thotë se këto janë vërshimet më të mëdha që kanë ndodhur në 50 vitet e fundit.

“Vushtria është përballë me vërshimet më të mëdha nga viti 1979. Fatmirësisht nuk kemi pasur pasoja në njerëz”, ka thënë ai.

Tahiri shton se dëmet janë enorme në shtëpi e në toka bujqësore. Ai ka bërë të ditur se janë 500 shtëpi që janë dëmtuar na vërshimet.

“Afërsisht janë diku 500 shtëpi që janë dëmtuar. Pjesa më e madhe e tyre në qytet. Vetëm dje janë evakuuar rreth 100 familje. Ishte fat në fatkeqësi që uji erdhi gjatë ditës e jo gjatë natës sepse do të shkaktoj frikë më e madhe. Familjet ose kanë qëndruar në katet e sipërme ose kanë shkuar te të afërmit”, ka thënë ai.

Në rast se ka nevojë për ata që kanë mbetur pa shtëpi do të lëshohet një shkollë dhe palestra e sporteve.

“Shkolla ‘Naim Frashëri’ e palestra e sporteve do të jenë të gatshme për akomodim”, ka thënë i njëjti.

“Kur ne shpallëm gjendje emergjente civile, kontaktova me z.Ramiz Lladrovca se lumi Drenica ka shkaktuar shumë dëme. Duke ditur pasojat pas 12 orëve shpallëm gjendjen emergjente civile dhe i njoftuam banorët. Po bëjmë vlerësimin e dëmeve prej sot. Ekipet janë të rraskapitur edhe emergjenca edhe vullnetarët edhe zjarrfikësit. Po nëse vazhdon situata kështu, normalisht që jemi të gatshëm. Nuk jemi kursyer se fundja e kemi obligim”, tha Tahiri.