Sunday, July 20, 2025
BallinaLajmeLajmet e Fundit32 vatra zjarri në 24 orët e fundit në Shqipëri

32 vatra zjarri në 24 orët e fundit në Shqipëri

Të ngjajshme

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 32 vatra zjarri në Shqipëri, nga të cilat 9 mbeten ende aktive.

Vatrat janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Mat, Bulqizë, Mallakastër, Roskovec, Vlorë, Himarë, Tepelenë, Përmet, Kurbin, Mirditë, Elbasan, Korçë, Selenicë, Kavajë, Kamëz, Tiranë, Shijak, Krujë dhe Malësi e Madhe.

Aktualisht aktive mbeten këto vatra zjarri:

Qarku Dibër: Në “Liqeni i Luleve”, Parku Kombëtar Lurë, zjarri po zhvillohet në dy vatra të ndara – një në “Fusha e Pelave” aktive dhe tjetra mbi fshatin Gurë-Lurë nën monitorim.

Bulqizë: Në “Livadhi i Peladhisë”, njësia Zerqan, një vatër aktive mbi fshatin Krajkë, në terren të vështirë me shkurre dhe dushqe.

Mat: Në Zall Gjoçaj (“Përroi i Zi”), zonë e mbrojtur me pisha dhe ah; relievi i thyer e vështirëson ndërhyrjen.

Dibër: Në Dovolan (Maqellarë), zjarri është riaktivizuar dhe po përhapet drejt Pejkës dhe zonës pranë Drinit të Zi.

Mallakastër: Në fshatin Belishovë, zjarri i ardhur nga Drenova vijon aktiv.

Vlorë: Në “Qafa e Shëngjergjit”, mbi Dukat (Orikum), është riaktivizuar një vatër në majën e Paliskës. Janë angazhuar forca vendore, FA dhe helikopteri.

Tepelenë: Në afërsi të Beçishtit, pranë antenave celulare, zjarri është nën monitorim.

Kurbin: Në Shkopet (Milot), pavarësisht përpjekjeve, nuk është arritur izolimi i zjarrit; janë djegur rreth 65 ha pyje.

Elbasan/Librazhd: Në kufirin mes fshatrave Shmil dhe Gurakuq, zjarri ka përfshirë pyll gështenje me përmasa të mëdha.

Zjarret janë përqendruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, me një total prej mbi 90 hektarësh të djegur.

Forcat e angazhuara : Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë përfshirë 44 automjete zjarrfikëse dhe 620 forca operacionale, ndërsa Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 110 efektivë, 5 mjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë. Ditën e sotme janë angazhuar 167 trupa të FA-së, 21 automjete me ekuipazh dhe 1 helikopter.

Kushtet atmosferike dhe rreziku i zjarreve Sipas IGJEUM, sot nuk priten reshje. Niveli i rrezikut për zjarre në pyje është “I LARTË” në qarqet Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera parashikohet rrezik i moderuar.

Strukturat e mbrojtjes civile vijojnë të jenë të angazhuara pa ndërprerje në menaxhimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në të gjithë territorin. U bëjmë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë zjarri pranë autoriteteve përkatëse./Lapsi.al

- Advertisement -

Të Fundit