Sipas një raporti të avokatit publik komunal, Fatos Sejdiu, nga 32 padi gjyqësore që janë ushtruar ndaj komunës së Skenderaj në vitin 2016, në vlerë të përgjithshme prej 195.110 euro, dy padi janë aprovuar pjesërisht nga Gjykata (1.727 euro), 6 padi Gjykata i ka refuzuar si të pabazuara (56.746 euro), 3 padi janë tërhequr (3.192 euro), ndërsa marrëveshje gjyqësore janë arritur me 2 paditës (10.332 euro), shkruan sot, gazeta Zeri.
Komuna e Skenderajt është paditur në vitin 2016 nga 32 kërkues të të drejtave të tyre nëpërmes Gjykatës Themelore të Mitrovicës, dega në Skenderajt dhe nëpërmes Gjykatës Themelore të Prishtinës. Paditë janë ushtruar kryesisht për kompensim për shkak të shpronësimit të tokës, për mospërmbushje të kontratave për furnizim me dru dhe thëngjill. Pastaj shpërblim jubilar dhe paga përcjellëse në pension, një padi është ushtruar për hapje të konfliktit administrativ kundër vendimit të KPMSHCK-së dhe me të do të merret Gjykata Themelore e Prishtinës – Departamenti për Çështje Administrative, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Neni 422, paragrafi 3 i KPP-së, propozim për caktimin e masës së përkohshme, për mospagesë të faturave, për ndërprerje të marrëdhënies së punës, për pengim posedim, kompensim i dëmit të pronës së paluajtshme.
Sipas Fatos Sejdiu, avokat publik komunal, nga 32 padi gjyqësore që janë ushtruar ndaj komunës së Skenderaj në vitin 2016, në vlerë të përgjithshme prej 195.110 eurosh, dy padi janë aprovuar nga gjykata (1.727 euro), 6 padi gjykata i ka refuzuar si të pabazuara (56.746 euro), 3 padi janë tërhequr (3.192 euro, ndërsa marrëveshje gjyqësore janë arritur me 2 paditës (10.332 euro). Në raportin e avokatit Sejdiu, në 6 padi nuk është përcaktuar vlera e kontestit dhe nga këto padi, vetëm njëra ka përfunduar, ndërsa 5 të tjera kanë mbetur konteste që do të vazhdojnë në vitin 2017. Në raport veçohet një padi që ka vlerën prej 61 mijë eurosh për shkak të mospërmbushjes së kontratës dhe kontestin në këtë vit do ta zgjidhë Gjykata Themelore e Prishtinës – Departamenti për Çështje Ekonomike, pastaj një padi prej 19.800 euro kundër vendimit përfundimtar në procedurën e shpronësimit dhe një padi prej 14.750 euro, gjithashtu kundër vendimit përfundimtar në procedurën e shpronësimit./Zeri/