Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë për t’u shpërndarë nga 100 euro studentëve, vetëm pak ditë para mbajtjes së balotazhit të zgjedhjeve lokale.
Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku e ka quajtur këtë veprim “përpjekje për të blerë votën e studentëve”, duke thënë se qeveria po i trajton të rinjtë si “material shitblerjeje zgjedhore”, transmeton lajmi.net.
“Të ardhmen që ua vodhi, në shtetin më të varfër e më të izoluar në Evropë, me arsimin ndër më të fundit në botë, provon t’ua blejë me 100 euro për votë – tre ditë para balotazhit. Një regjim i frikësuar dhe në rënie të lirë po trajton studentët e Kosovës si material shitblerjeje zgjedhore,” ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka shtuar se studentët “drejtojnë kohë, rrëzojnë regjime dhe përcaktojnë epoka”, duke theksuar se pagesa e njëhershme nuk do të ndikojë në vullnetin e tyre politik.
“Këta SMS ‘cringe’ para zgjedhjeve nuk blejnë as heshtjen, as shpresën, as votën. I keni nënçmuar. Do t’iu kthejnë përgjigje këtë të diel me votë,” ka përfunduar ai.
Ky reagim i kreut të LDK-së vjen pasi qeveria njoftoi se janë procesuar pagesat për rreth 49 mijë studentë që përfitojnë nga masa prej 100 eurosh, e cila u arsyetua si mbështetje për fillimin e vitit të ri akademik.
Postimi i plotë: