back to top
Thursday, February 12, 2026
BallinaRegjionale​Ky është aktgjykimi i plotë i Supremes me shumë pak sqarime, për...

​Ky është aktgjykimi i plotë i Supremes me shumë pak sqarime, për lirimin e Lushtakut (Dokument)

Të ngjajshme

Sa kushton të jetosh në qytetet kryesore të Zvicrës në vitin 2026?

Tashmë dihet që Zvicra në përgjithësi, dhe qytetet e...

“Frika nga kolesteroli” për vezët është e ekzagjeruar, thonë shkencëtarët

Kolesteroli i lartë lidhet me një sërë problemesh serioze...

Nis shorti i Ligës së Kombeve, linku për ta ndjekur live

Në ora 18:00 nis shorti për shortin e edicionin...

Dy gjyqtarët e EULEX-it dhe një vendor të Gjykatës Supreme, nuk kanë marrë mundin që të arsyetojnë gjatë vendimin e tyre për lirimin e Sami Lushtakut nga të gjitha akuzat për krime të kryera gjatë luftës së fundit, si ish-komandant i UÇK-së. Në pesë faqet e aktgjykimit të Gjykatës Supreme, vetëm shpjegohet si kronologji i gjithë procesi i gjykimit të kryetarit të Skenderajt, e më pas jepen veprimet që duhet ndërmarrë ndaj tij, pas verdiktit për pranueshmërinë e arsyetimit të ankesës të avokatit të Lushtakut.

Gjykata Supreme, të hënën, ka shpallur aktvendimin për pranimin e ankesës së avokatit Arianit Koci, mbrojtës i Sami Lushtakut, ish-drejtuesit të UÇK-së të dënuar për krime lufte. Rrjedhimisht, kjo gjykatë ka liruar Lushtakun nga të gjitha akuzat e Prokurorisë Speciale të EULEX-it.

Vendimi i së hënës i Supremes, ka hedhur poshtë aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të shtatorit të vitit të kaluar, e cila kishte modifikuar verdiktin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës së Veriut, që më 27 maj 2015 dënoi kryetarin e Skenderajt më 12 vjet burgim për vrasje gjatë luftës.

Megjithatë, më shumë se një vit pas, Apeli e kishte liruar të njëjtin të akuzuar nga kryerja e veprës penale të vrasjes, duke e dënuar më 7 vjet burgim për një tjetër vepër penale, po ashtu për krime lufte, por që kishte të bënte me zinxhirin komandues të UÇK -së.

“Gjykata e Apelit e modifikoi aktgjykimin P 938/13 të Gjykatës Themelore të Mitrovicës duke i shpallur të pandehurit Sylejman Selimi dhe Sami Lushtaku fajtorë, dhe duke e liruar të pandehurin Sahit Jashari nga vepra penale në vijim: në cilësinë e tyre si pjesëtarë të UÇK-së dhe persona që ushtronin kontroll në qendrën e paraburgimit në Likoc, në bashkëkryerje me njëri-tjetrin, siç është e definuar në Nenin 31 të KPK-së, ata e shkelën integritetin trupor dhe shëndetin e një numri të panjohur të civilëve shqiptarë të mbyllur në një qendër të tillë paraburgimi duke, i mbajtur ata në lokale të papërshtatshme në mungesë të higjienës, duke mos i ushqyer si duhet, shpesh duke i rrahur ata, së paku gjatë gushtit dhe shtatorit të vitit 1998”, tregohet historiku i procesit gjyqësor ndaj Sami Lushtakut, në aktgjykimin e Supremes, të siguruar nga Gazeta Express.

I njëjti aktgjykim tregon se më 29 nëntor 2016, mbrojtja e Lushtakut në rastin “Drenica 1” ka ushtruar ankesë në Gjykatë Supreme ndaj vendimit të lartpërmendur të Apelit. E më pas, shpjegohet se Prokuroria e EULEX-it i kishte kërkuar Supremes që ankesën e avokatit Arianit Koci ta shpallë të paafatshme, ose ta hedhë poshtë si të pabazuar.

Megjithatë, trupi gjykues i Supremes, i përbërë nga dy gjyqtarë të huaj të EULEX-it dhe një vendor, gjeti se “ankesa e parashtruar nga avokati mbrojtës Arianti Koci, në emër të pandehurit Sami Lushtaku është e pranueshme”.

“Kolegji në këshillimin e vet të mbajtur më 3 korrik 2017, e miratoi ankesën e paraqitur nga mbrojtësi në emër të Sami Lushtaku, dhe bazuar në nenin 364 (1) (1.3) të KPK-së e liroi atë nga akuza për veprën penale siç detajohet në pikën IX të aktakuzës”, thuhet në të gjeturat e panelit suprem që shpalli aktvendimin e 3 korrikut 2016, ndaj të cilit nuk mund të ushtrohet asnjë ankesë, pas vetëm një seance publike, të zhvilluar më 20 qershor të këtij viti.

“Bazuar në nenin 403(4) të KPK-së, masa e paraburgimit ndaj Sami Lushtakut hiqet dhe i pandehuri lirohet menjëherë”, tregohet në të njëjtin aktgjykim, në të cilin nuk jepet arsyetim më i gjatë për vendimin që e liroi Sami Lushtakun nga të gjitha akuzat e prokurorëve të EULEX-it të konkretizuara më aktakuze qysh nëntorin e vitit 2013.

Pak orë pasi u shpërnda ky vendim, ish-komandanti i UÇK-së u la i lirë nga burgu i sigurisë së lartë në Gërdoc të Podujevës, ku mbahej deri të hënën mbrëma.

Mbrojtja në ankesën e tyre kishte marrë shembull dy aktgjykime të Tribunalit të Hagës të cilat provonin vështirësitë që të dëshmohet përgjegjësia komanduese.

“Shembulli se sa është e vështirë të provohet Përgjegjësia Komanduese, mund të vërehet në çështjen Naletilić dhe Martinović, të trajtuar nga Tribunali i Hagës në Aktgjykimin e Dhomës së Apelit të dt. 3 maj 2006, 301-307. Në këtë rast, për të provuar kontrollin efektiv të të pandehurit Naletilić, me nofkën “Tuta”, mbi kampin e paraburgimit në Ljubuški, ku vartësit e tij u kishin shkaktuar, me dashje, vuajte të mëdha të burgosurve, prokuroria kishte mbledhur dhe ofruar provat në vijim: vartësit e kanë identifikuar vetën si “njerëz të Tutës”; dëshmitarët i kanë njohur shenjat e uniformës të vendosur në krahët e autorëve të krimeve, është gjetur lista e pagave që ka përmbajtur emrat e pjesëtarëve të grupit paramilitar të Naletilićit dhe një “ditar i luftës” i një ushtari. Dëshmitë mbi të cilat Gjykata e Apelit e mbështet aktgjykimin dënues nuk janë të mjaftueshme për të provuar se Sami Lushtaku, jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm, ka zotëruar kontrollin efektiv mbi qendrën e ndalimit në Likoc. Prandaj, nuk është vërtetuar se Sami Lushtaku ka pasur kompetenca të nevojshme materiale dhe kapacitet / aftësi thelbësore të një eprori, që të ndërmarrë masa për të parandaluar dhe ndëshkuar çfarëdo veprimi kriminal që mund të ketë ndodhur aty”, thuhej ndër të tjera në ankesën e avokatit Arianti Koci, në shkallën më të lartë të gjyqësorit në Kosovë.

Ndryshe, menjëherë pas lirimit, njëri prej drejtuesve të UÇK-së, shkoi drejt e te varri i komandantit të vrarë Adem Jashari, për të kryer homazhe dhe siç u tha për të lëvduar luftën e pastër të UÇK-së, tashmë të dëshmuar.

“Të kem shneten një herë, pastaj ta shohim”, tha kryetari i Skenderajt, kur u pyet se kur do t’i kthehet punës së komunën që drejton, pas daljes nga burgu. /M.Gj./GazetaExpress/.

Të Fundit

Sport

ShowBiz